Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka vazhduar pjesëmarrjen në Sesionin e 72-të Vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili u mbajt nga 20 deri më 23 nëntor në Berlin të Gjermanisë.
Delegacioni, i përbërë nga deputetet Shqipe Mehmeti-Selimi, në cilësinë e kryesueses, dhe Besa Kabashi-Ramaj, anëtare, gjatë qëndrimit në Berlin zhvilloi një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të lartë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe delegacioneve pjesëmarrëse.
Në mesin e takimeve ishte ai me presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello, sekretaren e përgjithshme, dr. Benedetta Berti, si dhe drejtorin për Partneritet Strategjik dhe Programe të Trajnimit, Jason Galanes.
Gjithashtu, delegacioni kosovar u takua me përfaqësues të delegacionit grek, të kryesuar nga Nikolaos Panagiotopoulos, si dhe me anëtarët Spyridon Kyriakis dhe Andreas Nikolakopoulos.
Gjatë aktiviteteve në Berlin, deputetet zhvilluan edhe takime me kryesuesen e delegacionit gjerman, Maria-Liisa Völlers, si dhe me përfaqësues të delegacioneve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi të Kuvendit të Republikës së Kosovës.







