Në redaksinë e TËVË1 gjatë orëve të mbrëmjes ka mbërritur një ankesë nga një shofer i kamionit, i cili thotë se bashkë me rreth 300 shoferë të tjerë të kamionëve, janë bllokuar prej më shumë se dhjetë orëve në kufirin e Maqedonisë së Veriut me Kosovën.
Sipas këtij shoferi, i cili nuk ka dashur që t’i zbulohet identiteti, kolona është rreth 7 kilometra, dhe shoferët udhëtojnë nga vende të ndryshhme të Evropës.
“Jemi mbi 300 kamiona këtu. Gati u bënë 10 orë e gjysmë që s’ndërmerr asnjë masë kërkush, as shteti jonë, as kërkush. Ju kisha lutë juve si media, si diçka, ndërhyni diku në doganë të Maqedonisë tek kufiri se jemi lodh.Është kolona mbi 7 km. Jemi gjithë kamionistët që vijnë prej Evropës, domethënë Bullgari, Turqi, Greqi edhe anasjelltas” ka thënë ai, duke e dërguar edhe një video të kolonës së gjatë të kamionëve.
“S’kemi as ushqim me ngrënë na u kan hargju, ka edhe familje, fëmijë”, ka shtuar ai.
Për këtë çështje, TËVË1 ka dërguar pyetje në autoritetet përgjegjëse të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, dhe është duke pritur përgjigje.







