Nga plantacionet me agrume përfund Konispolit, deri në portat e Kalasë Trekëndore në Butrint u shtri Festa e Mandarinës, më e madhja e vitit, që këtë nëntor shënoi edicionin e 20-të.
Fermerët pritën miq të ardhur nga afër dhe nga larg. Si një prej tyre dhe si qytetar i parë i Bashkisë me 1 milion rrënjë agrume, Kryetari Ergest Dule u dha mirëseardhjen të gjithëve.
Zëvendësministri i Bujqësisë Dhimo Kote është kthyer tek kultivuesit e mandarinës në këtë zonë, jo për t’u kujtuar kohën kur ai ishte një prej tyre, por për të adresuar shqetësimet e tyre.
Në këtë festë u prezantuan edhe fituesit e granteve të komunitetit. Një përvojë e veçantë ishte pjesëmarrja në këtë festë e të huajve, të cilët shijuan gatimet tradicionale dhe ndoqën koncertin me këngë e valle tradicionale.
I organizuar nga Bashkia Konispol në partneritet me Butrint Management Foundation, Festa e Mandarinës 2026 ishte një përpjekje për të kthyer Konispolin në një pikëtakim turistik, kulturor dhe ekonomik për gjithë jugun e vendit./rtsh.al/









