Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, F.N., M.A. dhe B.A., në lidhje me rastin e zbulimit të 512 kilogramëve marihuanë në fshatin Maqitevë të Suharekës.
Të pandehurit, të cilët ndodhen në paraburgim, dyshohen për kultivim të kanabisit, posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, tre të pandehurit dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje, duke kultivuar kanabis në dy parcela në një zonë malore të fshatit Maqitevë.
Për këtë aktivitet, sipas Prokurorisë, ata kishin instaluar edhe sistem të ujitjes me rezervuar dhe gypa me sistem pikë-pikë.
Aktiviteti është zbuluar më 16 shtator 2025, kur gjatë kontrollit në një shtallë janë gjetur dhe sekuestruar 512 kilogramë marihuanë, të cilat ndodheshin në fazën e tharjes dhe përgatitjes për shpërndarje.
“Substancat narkotike të sekuestruara kanë rezultuar pozitive për kanabis që përmban substancën psikoaktive Tetrahidrokannabinol (THC)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, duke iu referuar raportit të ekspertimit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.
Përveç narkotikëve, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar edhe armë dhe municion, përfshirë një raketë krahu antitank, një mortajë dore, një pushkë gjuetie dhe një pushkë gjysmë automatike.
Prokuroria bën të ditur se secili nga të pandehurit akuzohet veçmas edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
“Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e përhershëm të pasurisë dhe sendeve që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale ose janë përfituar përmes tyre.
Në mesin e tyre janë dy parcela me sipërfaqe prej 1 mijë e 963 dhe 1 mijë e 438 metrash katrorë, shtëpia, shtalla, pajisjet për kultivim, narkotikët, armët, municioni, telefonat mobilë dhe një traktor me rimorkio. /teve1.info/






