Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 84 vota për Projektligjin për ratifikimin e Protokollit për ndryshimin e Marrëveshjes mbi statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se miratimi i këtij protokolli siguron përfaqësim dhe vendimmarrje të barabartë të Kosovës në strukturat e Komisionit, si dhe krijon mundësi për avancimin e kapaciteteve profesionale të specialistëve kosovarë në fushën e mjekësisë ligjore.
Gjatë adresimit të saj, Gërvalla theksoi rëndësinë e këtij protokolli për pozitën e Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar.
“Ratifikimi i këtij protokolli ruan të pacënuar të drejtën e plotë të Republikës së Kosovës për përfaqësim dhe vendimmarrje të barabartë si shtet palë në çdo strukturë të Komisionit. Njëherësh, kjo marrëveshje sjell përfitime të drejtpërdrejta profesionale dhe institucionale, duke rritur kapacitetet e mjekëve tanë ligjorë dhe të specialistëve të tjerë në një fushë me rëndësi etike për drejtësinë. Gjithashtu, ky projektligj përmbush objektivat e strategjisë së politikës së jashtme për konsolidimin e pranisë sonë në organizatat ndërkombëtare”, tha Gërvalla.
Miratimi i këtij projektligji synon forcimin e rolit të Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, si dhe avancimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale në trajtimin e çështjeve që lidhen me personat e zhdukur.







