Pas një pushimi prej gati dy javësh shkaku i ndeshjeve të kombëtareve, këtë javë rikthehet në skenë Superliga e Kosovës në futboll.
Të premten, shtunën dhe të dielën, do të zhvillohen pesë ndeshjet e xhiros së 14-të, ndërsa vëmendja do të jetë në Suharekë.
Ballkani – Gjilani, ndeshje kjo që luhet të dielën nga ora 13:00 vlerësohet si derbi i kësaj xhiroje duke pasur parasysh se dy skuadrat synojnë pjesën e epërme të tabelës.
Të dielën gjithashtu, por nga ora 15:00 zhvillohet ndeshja ndërmjet Dritës dhe Feronikelit ’74, me ekipin nga Gjilani që shihet favorit në këtë përballje.
Edhe të shtunën janë dy ndeshje dhe të dyja startojnë në orën 13:00 kurse përballen Llapi – Vushtrria dhe Malisheva – Dukagjini.
Kjo xhiro hapet të premten me duelin ndërmjet Prishtinës dhe Drenicës që zhvillohet në kryeqytet nga ora 17:00.











