Ministria e Financave ka dorëzuar të enjten kallëzim penal në Prokurori ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe bashkëpunëtorëve të tij në Komunën e Prishtinës, lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e 2.2 milionë eurove nga mjetet buxhetore.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një njoftimi në Facebook, ku ka thënë se parregullsitë janë evidentuar edhe nga auditimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Sipas Muratit, veprimet e dyshuara që kanë rezultuar me keqpërdorimin e këtyre mjeteve përfshijnë keqpërdorimin e detyrës zyrtare, falsifikimin e dokumentit zyrtar, mashtrimin dhe përdorimin e paautorizuar të pasurisë.
Ai ka shpjeguar se Ministria e Financave kishte nënshkruar marrëveshje financiare me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për një kredi prej pesë milionë eurosh, të cilat i ishin vënë në dispozicion Komunës së Prishtinës për investime në renovimin dhe ngrohjen e shkollave, çerdheve dhe institucioneve të tjera publike.
Megjithatë, sipas ministrit, në vend të realizimit të investimeve të parapara, zyrtarët përgjegjës të komunës dyshohet se kanë përdorur rreth 44 për qind të mjeteve për pagesa të faturave që, sipas tij, nuk kishin lidhje me projektin dhe marrëveshjen financiare.
“Në vend se të kryenin investimet e parapara, zyrtarët përgjegjës nga Komuna e Prishtinës kanë keqpërdorur rreth 44% të mjeteve të vëna në dispozicion duke kryer pagesa për fatura që nuk kishin fare të bënin me projektin sipas marrëveshjes”, ka shkruar ai.
Murati ka bërë të ditur se shuma prej 2.2 milionë eurosh është ekzekutuar përmes 21 transaksioneve të kryera në periudha të ndryshme.
Ai ka pretenduar se nuk bëhet fjalë për ndonjë gabim teknik apo procedural, por për një skemë të organizuar keqpërdorimi.
“Shuma prej 2.2 milionë eurove është ekzekutuar nëpërmjet 21 transaksioneve në kohë të ndryshme, pra nuk bëhet fjalë për ndonjë lëshim teknik apo gabim procedural, por me skemë keqpërdorimi të paramenduar. Disa prej projekteve në emër të të cilave janë bërë pagesa, as që kanë ekzistuar në buxhet. Keqpërdorimi i 2.2 milionë eurove dhe fakti që kjo është bërë me paramendim në 21 transaksione të ndryshme, len të kuptohet që personat e përfshirë kanë qenë të bindur se janë të paprekshëm nga ligji”, ka theksuar Murati.
Në fund të reagimit, Murati i ka bërë thirrje Prokurorisë që të ndërmarrë veprime sa më shpejt, duke shprehur shqetësimin se vonesat mund të krijojnë rrezik për vazhdimin e keqpërdorimeve të dyshuara./teve1.info./




