Autori: Unitet Berisha
Fjalët nuk mjaftojnë për të treguar stresin që po përjeton Bajram Bytyqi paraditen e së martës.
Ky po e ndjek me vëmendje seancën gjyqësore ky njëri nga të akuzuarit, është shoku dhe bashkëveprimtari i tij, Isni Kilaj.
Këtë të fundit, Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara në Hagë, po e akuzon për pengim të drejtësisë.
Por, stresi Bytyqit nga Lubizhda e Malishevës, iu largua pas fjalëve përfundimtare të gjykatësit.
Por, aktgjykimi lirues ndaj Kilajt, nuk e habiti Bytyqin.
“Edhe na e pritëm këtë vendim për lirim dhe shpalljen e pafajësisë të Isni Kilajt, duke e njohur Isninë, edhe e kam pritur një vendim të tillë”, ka thënë Bytyqi.
Por, megjithëse shoku iu lirua, gëzimi për Bytyqin nuk ishte i plotë.
“Vetëm shumë rëndë kur e pashë edhe dënimin e Thaçit, secili duhet të kalojë në anën e tij, sa ka bërë ai për çështjen e Kosovës”, tha tutje Bytyqi.
E për lirimin e bashkëfshatarit të tij, u gëzua edhe Fadil Morina.
“E di çdokush që një arrestim i tij nuk u kanë i nevojshëm, por këto sene i ka dikush tjetër në dorë, masi është gjykata, ata kanë vendosë, po fatmirësisht ka dalë i pafajshëm”, tha Morina.
Buzëqeshja pas vendimit nga larg i shihet edhe atij që mësimet e para ia dha ish-kryetarit të Malishevës.
Mësuesi i Kilajt, Ali Paqarizi, ishte edhe dëshmitar në Zyrën e Prokurorit të Dhomave të Specializuara.
Ky i fundit për Tëvë1, tregon se çka i tha Prokurorisë në Hagë.
“Më kanë pyetur për çka e karakterizon Isniun, prej moshës, si nxënës, student e politikan. I thashë edhe ato që ju thashë edhe juve: i guximshëm, i sinqertë, i drejtë, korrekt”, u shpreh Paqarizi.
Por, gjithë këta, duhet të presin deri të mërkurën, ditën kur do të kthehet në vendlindje, Isni Kilaj.
Njëjtë me Kilajn, në vendlindje në ditët në vijim do të kthehen edhe Hajredin Kuçi, Fadil Fazliu e Bashkim Smakaj, të cilëve dënimi i shqiptuar të martën, iu llogarit koha e kaluar në paraburgim.
Ndryshe nga këta, burgimin në Hagë do vazhdoj ta mbaj ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të martën u dënua edhe me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë.






