Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë miratuar kërkesën që një familjar i një viktime të ndjerë të vazhdojë pjesëmarrjen në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Vendimi është marrë më 6 nëntor 2026 nga Paneli Gjyqësor II, pas kërkesës së avokatit të viktimave, Simon Laws, i cili kishte njoftuar gjykatën për vdekjen e një personi të pranuar më herët si viktimë pjesëmarrëse në këtë proces.
Viktima, e identifikuar me kodin V260/06, ishte pranuar në proces më 15 shkurt 2023. Pas vdekjes së tij, më 2 tetor 2026, avokati i viktimave kërkoi që një familjar të merrte të drejtën për të vazhduar pjesëmarrjen në procedurë.
Kërkesës i ishte bashkëngjitur certifikata e vdekjes dhe dokumentacioni që dëshmonte lidhjen familjare me personin në fjalë.
Në arsyetimin e vendimit, Paneli Gjyqësor vlerësoi se ishin plotësuar kushtet për miratimin e kërkesës. Sipas gjykatës, edhe pse legjislacioni për Dhomat e Specializuara nuk e parasheh shprehimisht këtë situatë, të drejtat pjesëmarrëse të viktimave mund të vazhdojnë përmes trashëgimtarëve të tyre, me qëllim të garantimit të njohjes së dëmit të pësuar.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që familjari të përfitojë masa të veçanta mbrojtëse. Identiteti dhe të dhënat e tij personale nuk do të bëhen publike dhe as nuk do t’u zbulohen palëve në proces.
Në dokumentet dhe procedurat gjyqësore, ai do të identifikohet me pseudonimin V260A/06.
Me këtë vendim, Paneli Gjyqësor II ka aprovuar kërkesën e avokatit të viktimave, duke mundësuar vazhdimin e pjesëmarrjes së familjarit në procesin gjyqësor në emër të viktimës së ndjerë.










