Vëmendja është e madhe.
Përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, u mblodhën në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës.
Këtu po përcjellin shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë.
Leximi i aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara emocionoi edhe kryetarin e veteranëve, Hysni Gucati.
E dënimi prej 17 muajsh ndaj Thaçit, ngjalli reagime të tyre.
Edhe aktgjykimi dënues ndaj të tjerëve është i papranueshëm për ta.
Sipas tyre, në asnjë vendim të kësaj Gjykate nuk është bërë drejtësi.
“E argumentoj edhe sot që është gjykatë politike, dhe marr të drejtën të them që adresa e kësaj gjykate është në Serbi dhe Rusi. I shtojmë edhe një fakt: meqenëse Hashim Thacci mori një dënim të padrejtë, si ka mundësi pikërisht kjo seancë të thirret më 17 nëntor, kur kihet parasysh që më 17 nëntor të vitit 1994 është emërtuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nga Lëvizja Popullore e Kosovës”, ka thënë Jashari.
Xhavit Jashari nga shoqata e familjeve të dëshmorëve, është i dëshpëruar edhe me rikthimin në Kuvend të Ligjit për Specialen.
“Ata që kanë bërë pazare, ata që kanë luajtur me ligjin, dhe me kërkesën tonë që ka qenë e vetmja kërkesë që të nxirret një nen në këtë ligj mendoj se edhe jeta e tyre politike do të përfundojë me turp. Ushtria çlirimtare e Kosovës nuk është individ, nuk është e grupeve, nuk është e një partie ose tjetrës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë e secilit që sot e gëzon lirinë. Ju bëjmë thirrje institucioneve, ju bëjmë thirrje faktorit të drejtësisë ndërkombëtare që mos të rrijë në duarkryq”, u shpreh tutje Jashari.
Për çështjen e Ligjit, Jashari ka kritika edhe për Presidenten Justina Shiroka – Pula.
“Edhe presidentja nuk është e pafajshme, sepse nëse është bërë një kërkesë e padrejtë që mendoj që ka qenë një akt i turpshëm, të bëhet thirrje që të kthehet në parlament ligji, mendoj se nuk e di sa është e drejtë nga presidentja që të kthehet ligji për plotësim ndryshim pa e shënuar asnjë rresht se ku janë vërejtjet e këtij ligji. Kjo është argumentuar edhe nga ata të cilët e kanë përpiluar dhe kanë marrë pjesë për të dërguar këtë ligj për të votuar”, theksoj Jashari.
Nga përfaqësuesit e ish-ushtarëve të UÇK-së u bë e ditur se do të shqyrtojnë veprimet e ardhshme ndaj vendimeve dënuese të ish-bashkëluftëtarëve.







