Qumështorja VITA ka reaguar pas dyshimeve të fundit të ngritura për sigurinë e produkteve të saj, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të bëjnë transparencë të plotë dhe që Prokuroria e Shtetit të nisë hetimet për këtë çështje.
Në reagimin e saj, kompania bën të ditur se nga 2 korriku janë marrë më shumë se 650 mostra dhe janë realizuar mbi 30 inspektime, por pretendon se deri më tani nuk ka pranuar rezultatet e analizave laboratorike.
Sipas VITA-s, gjatë kësaj periudhe ndaj produkteve të saj janë ngritur disa dyshime, fillimisht për përdorimin e vajit të palmës, më pas për qumësht pluhur dhe ujë pusi. Kompania thotë se këto pretendime nuk janë dëshmuar.
Ndërkohë, së fundmi është ngritur edhe një pretendim për një mostër prej një litri qumësht, ku dyshohet se një lot i prodhimit ka pasur nivel të aflatoksinës M1 mbi kufirin e lejuar.
Për këtë arsye, VITA kërkon që Prokuroria të shqyrtojë në mënyrë të detajuar gjithë procesin, përfshirë marrjen dhe transportimin e mostrave, analizat laboratorike dhe veprimet e institucioneve të përfshira.
Po ashtu, kompania kërkon t’i ketë në dispozicion rezultatet e analizave dhe që mostra e kontestuar të dërgohet për një verifikim të pavarur.
VITA thekson se përgjatë 25 viteve të operimit nuk ka pasur raste të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve nga produktet e saj, duke shtuar se prodhimi bazohet në qumësht vendor.
“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, trajtim të barabartë dhe që e vërteta të dalë në dritë”, thuhet në reagimin e kompanisë.







