Filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, është shpërblyer me çmimin “Golden Alexander – Michel Demopoulos” për filmin më të mirë artistik në konkurrencën “Meet the Neighbors+”, në edicionin e 67-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik.
Juria e festivalit e ka vlerësuar filmin për vërtetësinë emocionale dhe vizionin e tij personal mbi një moment përcaktues të historisë së Kosovës.
Në arsyetimin e çmimit, juria është ndalur te historia e Duas, një vajzë 13-vjeçare që përpiqet të gjejë vendin e saj në Prishtinën e fundit të viteve ’90, në një kohë kur trupi i saj nis të ndryshojë, ndërsa lufta afrohet gjithnjë e më shumë.
Juria ka vënë në pah zgjedhjen regjisoriale të Blerta Bashollit për ta mbajtur kamerën pranë personazhit kryesor, duke e bërë fytyrën e Duas hapësirën ku shfaqen ndryshimet, pasiguritë dhe përjetimet e një vajze që ende po përpiqet të kuptojë veten dhe botën përreth saj.
Sipas jurisë, ndershmëria dhe njerëzillëku i kësaj qasjeje, si dhe përmbajtja me të cilën Basholli e rrëfen historinë, i japin filmit forcën e tij të veçantë.
Vlerësimi në Selanik shënon një tjetër sukses ndërkombëtar për filmin “DUA”, i cili sjell në ekran një rrëfim intim të rritjes dhe përjetimit të fëmijërisë në Kosovën e pragluftës.











