Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe pesë të arrestuarve tjerë në aksionin kundër trafikimit të kokainës.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se masa e paraburgimit u caktua nën dyshimin se gjashtë të pandehurit kanë kryer veprën penale të shitblerjes së narkotikëve, si dhe të pandehurit Haraqija edhe për armëmbajtje pa leje.
Aktvendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake, Gazmend Bahtiri, pas mbajtjes së seancës dëgjimore.
Gjykata vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar dhe se masat tjera alternative nuk konsiderohen të mjaftueshme për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.




