Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke thënë se një masë e tillë është marrë me shtatë vjet vonesë.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë e tij se kanë qenë të vetëdijshëm për përfituesit nga situata në sektorin e energjisë. Ajo ka përmendur edhe refuzimin e projekteve energjetike, përfshirë termocentralin që do të ndërtohej nga ContourGlobal dhe projektet e gazit amerikan.
“Shtatë vjet kanë përfitu tregtarët e energjisë. E me gjasë, jo veç ata, por edhe këta që e kanë leju këtë gjendje. Tash me këtë vendim na shiten si patriotë të kësaj dekade. Po hajde, tregojuni qytetarëve ku kanë përfundu paratë e tyre: në fitime të majme për tregtarët e energjisë, për manipuluesit e tregut dhe ata që e kanë leju këtë gjendje”, ka shkruar Bajrami.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndalojë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe.







