Partitë opozitare në Kosovë kanë dënuar rastin ku në Forumin e Zgjerimit të BE-së është interpretuar një këngë serbe me tone nacionaliste kudër Kosovës.
Në reagimin e përfaqësuesve të partive opozitare theksohet se kërkimfalja e komisionerës për zgjerim Marta Kos nuk mjafton.
Ata poashtu kanë kritikuar edhe institucionet e vendit.
Ushtruesja e detyrës së PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se duhet garanci nga Komisioni Evropian që një gjë e tillë mos të përsëritët.
“Mes injorancës dhe qëllimit, shpresojmë të ketë qenë e para. Por asnjëra nuk e përjashton përgjegjësinë institucionale. Keqardhja e komisioneres Marta Kos është e nevojshme, por nuk mjafton. Komisioni Evropian nuk mund t’ua bartë përgjegjësinë vetëm muzikantëve. Kërkojmë sqarim, kërkimfalje dhe garanci për mospërsëritje. Pajtimi fillon me respektin për kujtesën dhe dinjitetin e secilit popull”, ka shkruar Çitaku.
Ajo poashtu ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë përgjegjësi për këtë skandal
“Kosova meriton vendin dhe zërin e saj në debatin për zgjerimin. Institucionet tona duhet të përdorin të gjithë mekanizmat institucionalë dhe diplomatikë për ta trajtuar këtë skandal dhe për të kërkuar përgjegjësi. E ardhmja evropiane e rajonit nuk ndërtohet duke përjashtuar Kosovën dhe duke u dhënë skenë pretendimeve kundër saj”, është shprehur Çitaku.
Për këtë rast ka reaguar edhe shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.
Ajo ka thënë se ky rast duhet të jetë reflektim shtetëror, duke shtuar se dobësimi i aleancave rrezikon shpërfilljen e shtetit.
“Interpretimi i muzikës së një kënge me pretendime territoriale ndaj Kosovës, në një aktivitet të Komisionit Evropian për zgjerimin, është i papranueshëm dhe kërkon sqarim e përgjegjësi. Por ne duhet të shohim edhe pozitën në të cilën është sjellë Kosova. Ky pushtet nuk e ka kuptuar asnjëherë sa jetike janë aleancat për shtetin tonë. Për vite, me arrogancë, sjellje të pamatur dhe shpërfillje ndaj partnerëve evropianë e amerikanë, ka cenuar besimin që Kosova e ka ndërtuar me aq mund. Sot kemi një Kosovë më të dobët ndërkombëtarisht”, ka shkruar ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të kërkojë falje për këngën nacionaliste serbe kundër Kosovës të interpretuar në Forumin e Zgjerimit të BE-së.
Ai ka thënë se ky është një gabim i madh.
Tahiri në Facebook ka fajësuar edhe institucionet e Kosovës, duke thënë se në Prishtinë duhet të ketë dorëheqje.
“Kur e kuptojnë se ke ardhur në pushtet me premtime e mashtrime, se je fleksibil dhe lëshon pe ku mundesh e ku s’mundesh, s’ke pse të çuditesh që edhe këngët t’i zgjedhin e t’i lëshojnë në Bruksel, ashtu siç janë kompozu e dakordu në Beograd! Gabim i madh i BE-së, duhet kërkim falje e në Prishtinë dorëheqje”, ka shkruar ai.
Kosova ka dënuar këtë akt duke kërkuar sqarime nga Komisioni Evropian.
Në mes reagimeve ka ardhur edhe ai i Raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Terras ka thënë se kjo është një provokim i qëllimshëm ose shfaqje e injorancës. Ai ka thënë se Marta Kos i ka borxh Kosovës një shpjegim.







