Me kujdes të shtuar po detyrohen të lëvizin ngasësit në këtë pjesë të magjistrales M2.
Kjo për shkak të gropave të shumta në rrugë.
Qytetarët thonë se gjendja e saj po ua vështirëson qarkullimin.
Përveç kësaj, po u shkakton edhe dëme në vetura.
“Po çka me fol për këtë gjendje, katastrofë, krejt bira. Dy herë më është prishur kartela dhe e kam çuar te mjeshtri… Është dashur të kryhet kjo punë moti, shumë moti”, shprehet një qytetar.
E kjo gjendje, sipas qytetarëve, po vazhdon tash e një kohë të gjatë.
“Gjendja e rrugës nuk është më e mira. E di që ka vend për përmirësim. Që sa jemi tu prit kështu. Neve po na pengon, sepse mundeni me pa që është shumë me gropa dhe po na dëmton veturat”, thotë Diar Zariqi-qytetar.
Për këtë arsye, qytetarët kërkojnë ndërhyrje të shpejtë në këtë pjesë të rrugës.
“Kjo rrugë është e mjerueshme. Nuk e di pse e ka lënë kryetari i komunës. Ia ka humbur edhe hijeshinë dhe bukurinë qytetit. Mendoj që Vushtrria nuk e meriton ta ketë këtë rrugë në hyrje, sidomos kur vijmë nga Prishtina”, shprehet Muhamet Dragusha-qytetar.
Për gjendjen e kësaj rruge, Televizioni ka kërkuar përgjigje edhe nga Komuna e Vushtrrisë.
Nga kjo komunë kanë bërë të ditur se përgjegjësia për mirëmbajtjen e saj i takon Ministrisë së Infrastrukturës.
Për këtë çështje, pyetje iu drejtua edhe kësaj ministrisë, por deri në publikimin e kronikës nuk është kthyer përgjigje.
Ndërkaq, kjo pjesë e magjistrales M2 ka mbetur në këtë gjendje tash e dy vjet.






