Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi meriton të avancojë drejt statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Këto deklarata Kurti i bëri gjatë një adresimi në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA) në Dublin, ku mbajti diskutimin me temën “Rrugëtimi i Kosovës: Nga shtetësia drejt integrimit evropian”.
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri foli për rrugëtimin historik të Kosovës drejt pavarësisë, zhvillimin demokratik, arritjet ekonomike dhe sfidat me të cilat përballet vendi në procesin e integrimit evropian.
Kurti theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, por ende mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.
“Ne aplikuam për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, gjatë Presidencës Çeke të Këshillit. Irlanda është presidenca e 8-të që atëherë dhe ne ende mbetemi vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati. Aplikimi ynë duhet të vlerësohet dhe duhet të fillojmë negociatat e pranimit. Ne kurrë nuk kemi kërkuar trajtim të veçantë, vetëm trajtim të barabartë. Kemi pengesa; udhëtimi ynë nuk ka qenë kurrë i lehtë, por me angazhim të sinqertë ka një rrugë përpara”, deklaroi Kurti.
Ai vlerësoi rolin e Irlandës në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke shprehur pritjen që ky shtet të mbështesë avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian.
Kryeministri foli edhe për zhvillimin demokratik të vendit, duke përmendur zgjedhjet konkurruese, lirinë e shprehjes, shoqërinë civile aktive dhe përmirësimin e sundimit të ligjit.
Në këtë drejtim, ai iu referua edhe vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, duke theksuar përparimin e Kosovës në renditjet për luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit dhe lirinë e shtypit.
Në aspektin ekonomik, Kurti deklaroi se ekonomia e Kosovës gjatë dekadës së fundit është rritur mesatarisht për më shumë se katër për qind në vit, ndërsa janë shënuar rritje të eksporteve, investimeve dhe punësimit.
Ai përmendi gjithashtu mbështetjen për familjet, shtesat për fëmijë, përkrahjen për nënat e reja, arsimin e lartë publik pa pagesë dhe zgjerimin e shërbimeve digjitale përmes platformës e-Kosova.
Një pjesë të rëndësishme të adresimit Kurti ia kushtoi edhe sigurisë në rajon.
Ai përmendi sulmin në Banjskë, më 24 shtator 2023, si dhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Varagë të Zubin Potokut, më 29 nëntor 2024, duke kërkuar përgjegjësi për autorët e këtyre sulmeve.
Sipas tij, përgjegjësia për këto raste është e domosdoshme për vendosjen e drejtësisë dhe parandalimin e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.
Kurti theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj orientimit të saj strategjik drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe ndaj harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
“Angazhimi ynë ndaj BE-së pasqyron vlerat mbi të cilat u themelua Republika jonë dhe drejtimin që qytetarët tanë kanë zgjedhur vazhdimisht. Ne kemi një orientim të qartë strategjik dhe të bazuar në vlera. Ne duam të bashkohemi si me NATO-n ashtu edhe me Bashkimin Evropian”, tha ai.
Ai rikujtoi edhe marrëdhëniet historike ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, duke shprehur mirënjohje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet në vitin 2008.
Në përfundim të adresimit, kryeministri tha se Kosova dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian jo vetëm për të përfituar nga integrimi, por edhe për të kontribuar në ndërtimin e një Evrope më të bashkuar, më të sigurt dhe më të begatë./teve1.info/








