Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, me të cilin ka diskutuar për punën e institutit, rezultatet e arritura dhe planet për të ardhmen.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit Presidentja Shiroka Pula ka vlerësuar punën e Institutit gjatë tri viteve nga themelimi, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ruajtjes së kujtesës historike.
Vëmendje e veçantë gjatë diskutimit i është kushtuar publikimit të listës preliminare, e cila përfshin personat e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe ata që kanë humbur jetën si pasojë e luftës.
Presidentja ka theksuar se raporti dhe lista janë ende preliminare, prandaj procesi i dokumentimit duhet të vazhdojë përmes hulumtimeve të mëtejshme dhe përfshirjes së çdo të dhëne apo dëshmie të re.
“Procesi i dokumentimit kërkon vazhdimësi dhe hulumtim të mëtejshëm, në mënyrë që të përditësohet me çdo të dhënë dhe dëshmi të re”, thuhet në njoftimin e Presidencës, duke iu referuar qëndrimit të Presidentes.
Në fund të takimit, Shiroka Pula ka riafirmuar gatishmërinë e Zyrës së Presidentes për të vënë në dispozicion kapacitetet dhe mundësitë e saj në mbështetje të punës së Institutit dhe avancimit të misionit të tij.
IKKL-ja ka për mision dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe ruajtjen e kujtesës historike për viktimat dhe ngjarjet e asaj periudhe.








