Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u ka bërë thirrje institucioneve arsimore, prindërve, mësimdhënësve, nxënësve dhe gjithë shoqërisë që të ndërmarrin hapa konkretë për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale të fëmijëve.
Në një njoftim publik, AIP ka theksuar se përdorimi gjithnjë e më i madh i teknologjisë, rrjeteve sociale dhe platformave digjitale e bën të domosdoshme rritjen e kujdesit për informacionet personale të fëmijëve.
Sipas Agjencisë, fotografitë, informacionet dhe përjetimet e fëmijëve mund të shpërndahen brenda pak sekondash në internet dhe të mbeten aty për vite me radhë, shpesh pa dijeninë dhe kontrollin e tyre.
AIP ka bërë të ditur se, në cilësinë e anëtarit vëzhgues të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), përcjell zhvillimet dhe iniciativat evropiane në këtë fushë, me synimin që standardet dhe praktikat për mbrojtjen e të dhënave personale të zbatohen edhe në Kosovë.
Në kuadër të aktiviteteve për ndërgjegjësimin dhe edukimin e qytetarëve, Agjencia ka publikuar dy udhëzues praktikë: “Fotografia e nxënësve dhe privatësia e tyre” dhe “Privatësia juaj në internet”.
Po ashtu, AIP ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që çështja e privatësisë së fëmijëve të përfshihet në kurrikulat mësimore.
Agjencia u ka bërë thirrje institucioneve arsimore që t’i përdorin dhe shpërndajnë këta udhëzues, ndërsa prindërit dhe mësimdhënësit i ka ftuar të diskutojnë me fëmijët për rreziqet e shpërndarjes së të dhënave personale dhe përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë.
“Mbrojtja e privatësisë së fëmijëve është, mbi të gjitha, përgjegjësi e përbashkët ndaj mirëqenies, dinjitetit dhe të ardhmes së tyre”, thuhet në njoftimin e AIP-së./teve1.info/








