Kabineti i sigurisë së Izraelit pritet të mblidhet të dielën, mes shqetësimeve të opozitës se kryeministri Benjamin Netanyahu mund të urdhërojë një sulm ushtarak ndaj Iranit për të qëndruar në pushtet.
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se mbledhja pritet të jetë e para që nga 5 tetori.
Sipas raportimeve, kabineti i ka kërkuar ushtrisë të shtojë përgatitjet për një sulm të mundshëm ndaj Iranit dhe për një përballje të re ushtarake.
Zhvillimet vijnë pasi Gadi Eisenkot, deputeti i ngarkuar me formimin e qeverisë së ardhshme izraelite, i kërkoi Netanyahut të shmangë operacionet e panevojshme ushtarake deri në krijimin e qeverisë së re.
Në një letër drejtuar kryeministrit, Eisenkot theksoi se qeveria aktuale nuk e gëzon më besimin e parlamentit.
“Ju aktualisht drejtoni një qeveri kalimtare që nuk e gëzon më besimin e Knessetit; vetëm 46 deputetë vazhdojnë të mbështesin qëndrimin tuaj në postin e kryeministrit”, shkroi ai.
Zyra e Netanyahut e cilësoi letrën si “një veprim të papërgjegjshëm dhe një përpjekje të hapur për të politizuar çështjet e sigurisë”.
Në kundërpërgjigje, Eisenkot vuri në pikëpyetje refuzimin e kërkesës së tij për një informim mbi situatën operacionale, si dhe shtyrjen e mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje të Knessetit.
“Nuk do të lejoj një boshllëk në mbikëqyrjen e një qeverie që ka humbur besimin e Knessetit”, deklaroi ai, sipas Anadolu.
Në qarqet opozitare ekziston frika se Netanyahu mund të urdhërojë një sulm ndaj Iranit dhe më pas të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, duke krijuar mundësinë për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar.
Dyshimet u shtuan pasi Netanyahu deklaroi të mërkurën se “formimi i një qeverie të unitetit është i mundur, sepse populli di të bashkohet në kohë vështirësish”.
Edhe pse qeveria aktuale është në detyrë, ligji izraelit nuk vendos kufizime të veçanta për ndërmarrjen e sulmeve ushtarake nga një qeveri e tillë. Megjithatë, çdo operacion i tillë kërkon miratimin e kabinetit të sigurisë, të drejtuar nga Netanyahu.
Që nga qershori i vitit 2025, Izraeli ka zhvilluar dy luftëra kundër Iranit, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa balistike dhe dronë.




