Ka nisur protesta e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të organizuar nga Sindikata e Re e KEK-ut, para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues të korporatës në Prishtinë.
Përmes kësaj proteste, punëtorët po kërkojnë përmirësimin e pozitës së tyre ekonomike dhe kushteve të punës, duke vënë në pah nevojën për paga më dinjitoze dhe trajtim më të drejtë të punonjësve.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë rritja dhe nivelizimi i pagave, si dhe ekzekutimi i pagës së 13-të për vitin 2026.
Po ashtu, ata kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe realizimin e vlerësimit të rrezikshmërisë në vendet e punës, në mënyrë që të merren parasysh përgjegjësitë dhe rreziqet me të cilat përballen punëtorët gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.
Sindikata e Re e KEK-ut ka theksuar se punonjësit e kësaj korporate përballen çdo ditë me kushte të vështira dhe rreziqe të shumta, veçanërisht ata që punojnë në miniera dhe termocentrale.







