Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka propozuar në Kuvend ndryshimin e rendit të ditës, me qëllim që të përfshihet shqyrtimi i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Gjatë paraqitjes së mocionit procedural, Çitaku ka falënderuar 90 deputetët që më herët e kishin votuar këtë ligj, duke e cilësuar mbështetjen e tyre si dëshmi të unitetit dhe pjekurisë politike e kombëtare.
“Fillimisht më lejoni të falënderoj 90 deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët ligjin e kanë votuar dy herë në një natë shumë dramatike në Kuvendin e Kosovës. Me atë votim dhe me atë unitet ne kemi dëshmuar pjekuri të lartë edhe politike, edhe kombëtare, dhe kemi dëshmuar që ka vlera të mëdha që i tejkalojnë politikat ditore dhe që na bashkojnë”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka rikujtuar se pas miratimit të ligjit në dy lexime, PDK-ja kishte propozuar kthimin e tij në Kuvend për rishqyrtim, me arsyetimin se ishin marrë rekomandime që, sipas saj, do ta bënin atë më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm juridikisht.
“Pas kalimit të ligjit në dy lexime, e dini që PDK-ja ka propozuar që ai ligj të kthehet sërish në Kuvendin e Kosovës, sepse na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime, të cilat ne besojmë që ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm, edhe më të qëndrueshëm juridikisht. Këtë vendim e kemi marrë të vetëdijshëm që do të na kushtojë politikisht, por për ne qëllimi është më i rëndësishëm sesa dëmi që mund të na bëjë neve si parti politike”, u shpreh ajo.
Çitaku ka bërë të ditur se pas diskutimeve me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupeve të tjera parlamentare, është arritur pajtim për përmbajtjen e ndryshimeve të propozuara, ndonëse palët kanë pasur mospajtime rreth procedurës që duhet ndjekur.
“E kemi marrë me bindjen e plotë që mund të bëjmë ndryshime në të, mirëpo pas diskutimeve të shumta që kemi pasur me eksponentë të lartë të VV-së, por edhe me grupe të tjera parlamentare, ne jemi dakorduar. Ndonëse kemi pasur mospajtime në procedurë, në përmbajtje kemi dakordim”, ka thënë Çitaku.
Në fund, ajo u ka bërë thirrje deputetëve që ta mbështesin mocionin procedural, të miratojnë ligjin dhe më pas të nisin menjëherë procedurën për amendamentimin e tij.
“Ju ftoj, zonja kryetare, që këtë mocion ta miratojmë sot, ta miratojmë ligjin sot dhe menjëherë të fillojmë procedurën e amendamentimit”, ka deklaruar Çitaku.







