Komuna e Prishtinës ka miratuar themelimin e ndërmarrjes së re komunale të pastrimit, por Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka dhënë vlerësim negativ për këtë vendim, duke penguar, një zgjidhje të rëndësishme për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë.
Kështu ka deklaruar i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili ka kritikuar ashpër këtë vendim, duke thënë se komunat e Obiliqit dhe Fushë Kosovës kanë themeluar ndërmarrje të ngjashme, ndërsa një iniciativë e tillë po i pamundësohet Prishtinës.
“E krijuam kompaninë e re komunale të pastrimit, ashtu siç kanë vepru edhe Obiliqi e Fushë Kosova. Por Prishtinën e bllokuan. MAPL-ja e ka kthy vlerësimin negativ!. E kemi arritë marrëveshjen me KfË-në për 100 kamionë shtesë për kompaninë “Pastrimi”. Prap na bllokuan. Hekuran Murati veç ka vendos mos me nënshkru! E përderisa Qeveria na bllokon vazhdimisht, çmimin po e paguajnë qytetarët e Prishtinës!. Prandaj, jemi detyru me kërku ndihmë nga UNDP-ja për angazhimin e operatorëve privatë, që t’i dalin në ndihmë kompanisë “Pastrimi” në menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet. Me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët i falënderojmë, po gjejmë alternativa për me ua siguru qytetarëve tanë shërbimet bazë”, ka shkruar Përparim Rama.
Ai tutje ka lëshuar akuza edhe ndaj Qeverisë.
“Sepse kjo Qeveri ka vendosë me shpallë armik secilën komunë që nuk udhëhiqet nga Vetëvendosje! Dhe kjo është marrja ma e madhe që e ka pa Kosova, me i lanë qytetarët pa shërbime, veç pse nuk ta kanë votu partinë!. Por ne kemi gjet zgjidhje dhe do të gjejmë gjithmonë! Sot, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, dolëm në terren për me pa nga afër angazhimin e operatorëve privatë, që tashmë i kanë dalë në ndihmë kompanisë “Pastrimi” për largimin e mbeturinave në Kryeqytet..I falënderojmë qytetarët për durimin e mirëkuptimin dhe ju kërkojmë falje për gjendjen. Bllokadat janë jashtë duarve tona, por pasojat po i përjetoni ju. Për me gjetë alternativa e me i vu në punë, po na duhet kohë. Kryeqyteti nuk heq dorë nga qytetarët e vet. Ju jeni qytetarë të këtij vendi pavarësisht që Qeveria s’po ju trajton ashtu!”, theksoi Përparim Rama.







