Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka bërë të ditur se pas negociatave politike me përfaqësuesit e shumicës parlamentare, është arritur dakordim që Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të procedohet për miratim në Kuvend, pa ndryshime në këtë fazë.
Duke raportuar në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Deliu-Kodra ka thënë se PDK-ja, si parti sponsorizuese e ligjit, ka zhvilluar diskutime me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje për mënyrën se si do të trajtohet vendimi i presidentes për kthimin e tij në rishqyrtim.
Ajo ka bërë të ditur se palët kanë pasur interpretime të ndryshme lidhur me mundësinë e amendamentimit të ligjit në këtë fazë të procedurës, por nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshime konkrete.
“Gjatë këtyre ditëve, PDK-ja si parti sponsorizuese e këtij ligji ka pasur negociata politike me partinë që e përfaqëson shumicën parlamentare për mënyrën se si ne do ta trajtojmë ligjin në fjalë. Jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin. Dua ta bëj të qartë se nuk kemi arritur dakordësi që të bëhen ndryshime në ligj”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Sipas saj, mospajtimet kanë të bëjnë kryesisht me interpretimin e Rregullores së Kuvendit dhe mundësinë e ndryshimit të ligjit në fazën aktuale.
“Kemi besuar që është e mundur të bëhet amendamentimi i ligjit në këtë fazë, ndërsa shumica parlamentare e ka konsideruar dhe interpretuar Rregulloren në atë mënyrë që nuk lejohet amendamentimi i ligjit në këtë fazë”, është shprehur ajo.
Për rrjedhojë, ligji do të procedohet për votim në Kuvend në formën aktuale, ndërsa ndryshimet e mundshme do të shqyrtohen përmes një procesi të ri të amendamentimit.
“Jemi në një situatë që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend në formën siç është. Pastaj ne do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit, bashkë me kolegët deputetë të Kuvendit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo ka theksuar se në Kuvend do të votohet sërish versioni aktual i ligjit, ndërsa për miratimin e tij dhe rrëzimin e vetos së presidentes nevojiten 61 vota të deputetëve.
Në përfundim, Deliu-Kodra u ka bërë thirrje anëtarëve të Komisionit për Legjislacion që të mbështesin procedimin e mëtejmë të ligjit dhe miratimin e tij në Kuvend.




