Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar pas paralajmërimit për protestë nga njëra prej sindikatave të punëtorëve, duke thënë se kërkesat e punonjësve janë diskutuar në takimet e zhvilluara gjatë kësaj jave ndërmjet Bordit, Menaxhmentit dhe përfaqësuesve sindikalë.
Në një komunikatë për media, KEK-u ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave janë mbajtur dy takime me dy sindikata, në kuadër të dialogut social, ku janë trajtuar çështje të ndryshme që lidhen me mirëqenien dhe kërkesat e punëtorëve.
Sipas Korporatës, Menaxhmenti është zotuar se do t’i shqyrtojë kërkesat e punonjësve, duke marrë parasysh mundësitë financiare dhe buxhetore të ndërmarrjes.
KEK-u ka përmendur edhe masat që ka ndërmarrë gjatë vitit 2026 në raport me punëtorët, duke bërë të ditur se në muajin prill është ndarë një bonus prej 300 eurosh, ndërsa paga bazë është rritur për 60 euro për secilin punonjës.
“Ky përkushtim është dëshmuar edhe gjatë secilit vit paraprak, përfshirë vitin 2026, kur në muajin prill është bërë ndarja e bonusit në vlerë prej 300 eurosh, si dhe rritja e pagës bazë për secilin punonjës në vlerë prej 60 eurosh”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.
Megjithatë, Korporata ka bërë të ditur se njëra nga sindikatat ka vendosur të mos e vazhdojë dialogun social me punëdhënësin dhe ka paralajmëruar organizimin e një proteste.
KEK-u ka theksuar se e respekton të drejtën e punëtorëve për organizim sindikal dhe protestë, por ka kërkuar që gjatë kësaj periudhe të merret parasysh rëndësia e ndërmarrjes për furnizimin me energji elektrike në vend.
“KEK Sh.A. respekton të drejtën e punonjësve për organizim sindikal dhe për shprehjen e pakënaqësive përmes formave të ndryshme të protestës. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se KEK Sh.A. është pjesë vitale e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës dhe se të gjithë duhet të sillemi në përputhje me këto përgjegjësi”, thuhet në reagim.
Në komunikatë, Korporata ka përmendur edhe sfidat me të cilat po përballet sektori energjetik, duke theksuar se prioritet aktual është përfundimi i projekteve kapitale, modernizimi i kapaciteteve prodhuese dhe sigurimi i vazhdimësisë së prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.
Po ashtu, KEK-u ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të nxjerrjes së thëngjillit në minierë, duke vlerësuar se përmbushja e këtyre objektivave kërkon angazhim të përbashkët të punëtorëve dhe menaxhmentit.
“Sot, më shumë se për protesta, KEK-u ka nevojë për angazhimin e secilit prej nesh në funksion të interesit të përbashkët, për përfundimin me sukses të projekteve kapitale dhe sigurimin e vazhdimësisë së prodhimit të energjisë elektrike”, thuhet më tej në komunikatë.
Sa u përket kërkesave të punëtorëve, Menaxhmenti ka bërë të ditur se ato nuk do të anashkalohen, por shqyrtimi i tyre do të bëhet pasi të tejkalohen sfidat aktuale dhe të stabilizohen proceset operative.
“Menaxhmenti i KEK-ut mbetet i përkushtuar që, pas tejkalimit të sfidave aktuale dhe stabilizimit të proceseve operacionale, të përqendrohet në shqyrtimin e mundësive konkrete për adresimin e kërkesave të punonjësve, në përputhje me legjislacionin dhe aktet rregullative në fuqi, si dhe duke marrë parasysh mundësitë financiare dhe buxhetore të Korporatës”, përfundon reagimi i KEK-ut.




