Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian për vitin 2026 paraqet një pasqyrë më të diferencuar sa i përket luftimit të korrupsionit në Kosovë.
Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Gërvalla ka krahasuar vlerësimet e raporteve të viteve të kaluara me atë të këtij viti, duke thënë se në të kaluarën korrupsioni cilësohej si shumë i përhapur dhe ndër shqetësimet kryesore të Komisionit Evropian.
Ajo ka theksuar se raporti i vitit 2026 evidenton shtim të dukshëm të dënimeve dhe vendimeve të formës së prerë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
“Ndërkohë që raportet e shumë viteve më herët korrupsionin e cilësonin si shumë të përhapur dhe ishte ndër shqetësimet kryesore të Komisionit, kur partitë që sot nuk janë në pushtet qeverisnin vendin, raporti i vitit 2026 jep një pasqyrë shumë më të diferencuar. Sot, në rastet e korrupsionit, vetëm kur flitet për korrupsionin e nivelit të lartë, raporti konstaton se janë shtuar dukshëm dënimet dhe vendimet e formës së prerë”, tha ajo.







