Kosova rrezikon humbjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” sipas një vendimi të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Muajin e kaluar, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dha alarmin për rrezikun e humbjes së Lojërave Mesdhetare, teksa publikoi një letër nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare ICMG, për vonesat në përmbushjen e obligimeve.
Sipas kësaj letre, Kosova nuk i ka kryer garancitë bankare, e që njëra duhej kryer në janar të këtij viti e tjera në qershor.
Të mërkurën pas mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, vlerësohet se është ende në rrezik mbajtja e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.
“Bordi u njoftua se në javët në vijim, pritet të mbahet një takim në Athinë me ICMG, ku Komitetit Organizativ, OCMG do të përfaqësohet me nga dy përfaqësues nga Qeveria, Komuna dhe KOK-u. U konstatua po ashtu se ende ekziston rreziku për humbjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, thuhet në vendimin e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut.
Organizimi i Lojërave Mesdhetare vlerësohet si një nga ngjarjet më të mëdha sportive që i janë besuar Kosovës për organizim. Qeveria është zotuar për ndarjen e rreth 250 milionë eurove për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për këtë ngjarje shumësportëshe.








