Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur shpalljen e procesit të gradimit për gradën Rreshter në Policinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për avancimin profesional të zyrtarëve policorë.
Përmes një postimi, Sveçla ka theksuar se avancimi në karrierë dhe vlerësimi i meritës janë thelbësorë për fuqizimin e Policisë së Kosovës dhe motivimin e pjesëtarëve të saj në shërbim të qytetarëve.
Ai gjithashtu u ka bërë thirrje të veçantë grave dhe vajzave që të aplikojnë në këtë proces dhe të shfrytëzojnë mundësitë për avancim profesional.
“Mirëpres shpalljen e procesit të gradimit për gradën Rreshter në Policinë e Kosovës, si një mundësi e rëndësishme për avancimin në karrierë të zyrtarëve policorë që shërbejnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë.
Avancimi profesional dhe vlerësimi i meritës janë thelbësorë për fuqizimin e Policisë së Kosovës dhe motivimin e pjesëtarëve të saj për të vazhduar shërbimin me përkushtim.
Inkurajoj veçanërisht gratë dhe vajzat që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë për avancim profesional, duke kontribuar edhe më shumë në përfaqësimin dhe fuqizimin e grave në Policinë e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.




