Zyrtarët korrektues kanë parandaluar futjen e një substance të dyshuar narkotike në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, rasti ka ndodhur sot gjatë kontrollit në sallën e vizitave, ku substanca e dyshuar është zbuluar e fshehur brenda një xhakete që e kishte me vete një familjar, i cili kishte ardhur për të vizituar një të burgosur.
Pas zbulimit të substancës, vizita është anuluar, ndërsa zyrtarët korrektues kanë njoftuar Policinë e Kosovës, së cilës i është dorëzuar edhe substanca e dyshuar për procedura të mëtejshme.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili ka bërë të ditur se kontrollet dhe masat e sigurisë në institucionet korrektuese po vazhdojnë me qëllim të parandalimit të futjes së sendeve dhe substancave të ndaluara.
“Sot, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, zyrtarët korrektues kanë parandaluar futjen e një substance të dyshuar narkotike në institucion.
Gjatë kontrollit në sallën e vizitave, substanca e dyshuar është zbuluar e fshehur brenda një xhakete, të cilën e kishte me vete një familjar që kishte ardhur për vizitë te një i burgosur.
Pas zbulimit, vizita është anuluar, ndërsa është njoftuar Policia e Kosovës, së cilës i është dorëzuar edhe substanca e dyshuar.
Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon të zbatojë kontrolle dhe masa të rrepta sigurie për të parandaluar futjen e sendeve dhe substancave të ndaluara në institucionet korrektuese”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.







