Dëshmi të reja janë dëgjuar të hënën në rastin e vdekjes së argjentinases, Maria Clara Urdangaray.
Në rigjykimin ndaj Endrit Nikës si i akuzuar për vrasjen e saj, dëshmuan mjekja e QKMF-së Fushë Kosovë, Blerina Gashi, e cila e trajtoi viktimën.
“Është marrë thirrja që dikush ka rënë nga kati i gjashtë, kemi shkuar. Pacientja ka qenë e vetëdijshme, e lëvizshme dhe ka komunikuar. E kemi marrë në autoambulancë. …edhe gjatë tërë rrugës kemi biseduar me pacienten në gjuhën angleze”, tha Gashi
Madje, ajo tregoi se ka pyetur të ndjerën nëse e kishte shtyrë dikush nga lartësia.
“Emri, mbiemri çfarë moshe ka, a ka tentuar me u hedh vetë apo e ka shtyrë dikush. Dy përgjigjet e saj kanë qenë jo”, u shpreh tutje Gashi.
Derisa pyetje për të pati edhe babai i viktimës, Facundo Urdangaray.
“Një person që bie nga një lartësi e tillë a mund t’i shkaktojë konfuzion gjendja shëndetësore për t’u përgjigjur”, ka thënë Urdangaray.
“Kjo është individuale, prej çka unë kam parë ka qenë e vetëdijshme. Dhe çka pashë në raport të QKUK-së dhe aty ka qenë me vetëdije”, theksoj Gashi.
Madje, u pyet edhe për terapinë që i kishte dhënë të ndjerës dhe për efektin e saj.
“Terapia jonë nuk ka ndikuar në konfuzitetin e saj gjatë pyetjeve që kam bërë”, u shpreh edhe më tutje Gashi.
Dëshmi dha edhe Vlora Maholli, infermiere në këtë rast ku tha se gjatë tërë kohës ajo ishte me dhimbje.
“Çka na ka thënë doktoresha. Ajo ka thënë se pacientja po thotë që nuk e ka shtyrë dikush. … Ka thënë edhe se nuk ka dashur me ra”, ka deklaruar Maholli.
Derisa u pyet se nëse ishte i akuzuari Nika afër pacientes.
“Prej kohës kur e keni bartur a ka qenë Endrit Nika afër pacientes”, tha Syla.
“Nuk e kam parë që ka qenë afër”, u shpreh tutje Meholli.
Edhe infermierja tjetër tha se viktima kishte vetëdije të plotë dhe komunikim të vazhdueshëm.
“Ka qenë e vetëdijshme, ka komunikuar me mjeken”, ka thënë Krasniqi.
Të gjithë këta dëshmitarë ishin propozuar nga mbrojtja e Nikës, avokat Tomë Gashi.
Ky i fundit bëri kërkesë që në seancat e radhës të dilet bashkë me trupin gjykues edhe në vendngjarje.
Kjo kërkesë e tij, pritet të shqyrtohet nga kryetari i trupit gjykues, derisa priten të japin dëshmi edhe disa ekspertë tjerë mjeko-ligjorë.






