Është ora 07:50 e mëngjesit të së hënës.
Ky tren, nisjen e parë po e bën nga Prishtina në drejtim të Fushë Kosovës.
Por, të hënën, stacioni i parë i ndalesës, doli të jetë edhe i fundit
Kjo meqë linjat e qarkullimit të trenit u pezulluan në ora 08:00.
Shkak për këtë ishte greva e punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Infrakos”.
Por, cilat janë kërkesat që i kanë punëtorët e “Infrakos”?
“Kërkesat e sindikatës kanë qenë, domethënë, për me rregulluar çështjen e pagave, sepse ato me momentin kur paga minimale ka arritur në 500 euro e ka prekur një numër të konsiderueshëm të punëtorëve, por pjesa tjetër kam, domethënë, janë shumë të pakënaqur, sepse nuk barazohet, domethënë, paga me përgjithësi të tyren që i kanë”, ka thënë Nikqi.
Nikqi thotë se për këto probleme, është mirë i njoftuar menaxhmenti i “Infrakos”
“Edhe ka muaj, domethënë, që sindikatat kanë bërë shkresa, kërkesa, pa numër, prej menaxhmentit, bordit deri te ministria, edhe, domethënë, asnjëherë nuk e kanë marrë asnjë përgjigje. Ndërsa me bordin edhe me menaxhmentin e kemi zhvilluar nga një takimi të vetëm edhe pa asnjë rezultat”, u shpreh tutje Nikqi.
E kjo grevë, po përkrahet edhe nga Sindikata e “Trainkos”, pavarësisht se varen nga qarkullimi i trenave.
“Kjo na dëmton shumë. Sepse ne varemi prej trenave, gjithë gjenerimi i mjeteve bëhet prej trenave, edhe kështu që nëse veç treni nuk funksionon atëherë ne jemi të privuar prej punës edhe sigurisht që nuk nuk mundemi me gjeneruar mjete për të ardhura dhe për punë të tjera”, ka thënë Gjyrevci.
Ndër kërkesat e punëtorëve të “Infrakos” është indeksimi i pagës.
Për kërkesat e punëtoreve, Tëvë1 ka dërguar pyetje në këtë Ndërmarrje Publike, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.






