Avokati Shkëlzen Sopjani ka vlerësuar se ekziston mundësia që Kosova të mos ketë fare Ligj për Dhomat e Specializuara, pasi ligji i kthyer në Kuvend nga presidentja i është referuar fillimisht Komisionit për Legjislacion.
Këto deklarata Sopjani i bëri në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ku komentoi diskutimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe skenarët e mundshëm për të ardhmen e tij dhe strategjinë shtetërore.
Sipas Sopjanit, nga aspekti juridik dhe kushtetues, skenari më i mundshëm është që ligji të mbetet pa u miratuar në ditët apo javët në vijim.
“ Nëse e shohim nga aspekti juridiko-kushtetues, skenari më i mundshëm është që në ditët apo javët në vijim të mos kemi fare Ligj për Specialen, pra që çështja të mbetet aty. Kjo duke marrë parasysh faktin se ligji i parë është bërë me nguti dhe në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, si dhe me zotimet ndërkombëtare që i ka marrë Republika e Kosovës”, ka deklaruar Sopjani.
Ai ka argumentuar se ligji fillestar ishte miratuar me nguti dhe, sipas vlerësimit të tij, në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe zotimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Sopjani ka vlerësuar gjithashtu si pozitiv kthimin e ligjit në Kuvend, duke theksuar se miratimi i tij në formën aktuale mund të kishte efekte të kundërta me ato të synuara për katër të akuzuarit që gjenden në Hagë.
Ai ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara janë themeluar përmes ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se çështja duhet të trajtohet duke marrë parasysh bazën kushtetuese dhe zotimet ndërkombëtare të vendit.
“Por ajo që është edhe më interesante është se ky ligj, me gjithë atë që mund të përmbajë, ka mundur të ketë efekt të kundërt për katërshen që gjendet në Hagë. Prandaj, unë e shoh si pozitiv rikthimin e tij në Kuvend, sepse problemi qëndronte në faktin se, në asnjë rrethanë, besoj se ai nuk do të kalonte, duke marrë parasysh bazën kushtetuese që ua ka dhënë Dhomave të Specializuara, përmes ndryshimeve kushtetuese, vetë Kuvendi i Kosovës”, ka përfunduar Sopjani.







