Pozitë e opozitë erdhën në Komisionin Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Me të filluar, kryetari i këtij komisioni, Burim Ramadani tha se e kanë pranuar raportet e kërkuara nga Qeveria.
“Sot kemi pranuar nga ZKM-ja, raportet e MPB-së dhe MD-së dhe rrjedhimisht, pas kërkesave të përsëritura, ka filluar bashkëpunimi institucional në këtë pikë”, ka thënë Ramadani.
Por për punën e tyre ankesa patën Partia Demokratike e Kosovës.
“Fillimisht më vjen mirë që Zyra e Kryeministrit paska dërguar tash, para një ore, dy raportet. Edhe pse unë besoj që është mashtrim. Dhe arsyeja pse nuk e ka dërguar deri sot është se s’ka ekzistuar ky raport, për shkak që, nëse e shfletojmë edhe e shohim, janë 22 faqe raportet e dy ministrive, pa asnjë nënshkrim të asnjë ministri”, u shpreh Rrahmani.
Madje, Rrahmani tha se këto raporte nuk i ka lexuar as vet pushteti.
Kundërpërgjigje për deputetin e PDK-së, pati anëtari i komisionit nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.
“Unë jam këtu për të trajtuar profesionalisht çdo mekanizëm, çdo veprim, çdo mosveprim e çdo mospërmbushje të detyrimeve ligjore të secilës hallkë institucionale. Personalisht jam për këtë, duke filluar nga përgjegjësitë te prokuroria, te policia, te gjykata, te ministria përkatëse, siç edhe janë pjesë e planit të punës. Më vjen keq që një rast si ky tenton të politizohet, të nxirret kapital politik individual. Unë nuk kam nevojë për kapital politik, dhe e dyta, kurrë nuk do ta bëja një rast si ky”, ka theksuar Rrustemi.
Ankesa për ecurinë e këtij komisioni patën edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Është ftuar Fadil Hatërgjonaj vec pse e ka pasë ushtar…”, tha Kica Xhelili.
Partia në pushtet, edhe njëherë kërkoi që të mos politizohet ky komision.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, pas këtyre diskutimeve, dyert e këtij komisioni u mbyllën për publikun.






