Çdo te hënë, takimin e kanë në këtë sallë.
Nga këtu, shefat e grupeve parlamentare, caktuan agjendën e seancës së Kuvendit, që do të mbahet të enjten.
Në rend dite do të jetë diskutimi për energjinë, e interpelanca e ministrit të shëndetësisë Arben Vitia, për raportimet se një grua me kancer ka vdekur në QKUK si shkak i mungesës së terapisë.
Përveç kësaj seance, LDK ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve edhe një seancë tjetër të jashtëzakonshme.
“Në kontrast me këtë, Kryesia ka marrë nismën për përcjelljen e një seance të jashtëzakonshme gjatë kësaj jave, në të cilën do të diskutohet për rezultatet dhe konstatimet e Raportit të Progresit”, ka thënë Lushaku Sadriu.
E nga Aleanca u tha se do të kërkojnë llogari për tarifat e energjisë.
“Blerja e rrymës mbi 1 miliard euro është çështje që do të duhej të kishte jo vetëm hetim brenda prokurorisë, por edhe diskutim parlamentar pasi që është e pabesueshme që 6 vjet të mos mund të rinovohet B1-shi dhe ju e dini që ajo do të dokumentohet të enjten që B1-shi as nuk është në funksion e as do të mund të hyjë në funksion”, u shpreh Tahiri.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, u deklarua edhe për tema të tjera jashtë asaj që u diskutua në mbledhjen e kryesisë.
Nagavci tha se ligji për Specialen i kthyer në Kuvend, nuk mund të amandamentohet.
“Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”, theksoj Nagavci.
Nagavci foli edhe për rikthimin në diskutim të formimit të Asociacionit, pas fitores së Listës Studentore në Serbi.
Ndryshe nga siç ndodhë zakonisht, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu nuk u deklarua për mediat pas përfundimit të mbledhjes.






