Xhavit Haliti ka komentuar emërimin e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Kosovës, duke thënë se ajo nuk duhet të jetë presidente vetëm e një partie, por e të gjithë qytetarëve të vendit.
Ish-deputeti i PDK-së ka theksuar se presidentja duhet t’i presë përfaqësuesit e të gjitha partive politike dhe se në kabinetin e saj do të duhej të kishte përfaqësues nga subjektet e ndryshme politike.
“Justina Shiroka-Pula nuk është presidente e VV-së, por e gjithë Kosovës. E ka për detyrë t’i presë të gjithë në takime. Do të duhej që në kabinetin e saj të kishte edhe përfaqësues nga të gjitha partitë, e jo siç ka qenë më herët, kur njerëzit përreth ishin vetëm të një partie”, ka deklaruar Haliti për emisionin “Infonata” në Tëvë1.
Ai ka shprehur shpresën që Shiroka-Pula të jetë një presidente që do të lërë gjurmë në histori, ndërsa ka vlerësuar se PDK-ja ka arritur sukses me emërimin e saj, pasi vendi shmangu shkuarjen në zgjedhje.
“Uroj që presidentja të mos jetë vetëm e zyrës, por shpresoj se do të jetë presidente historike. PDK-ja ka arritur një sukses me emërimin e Pulës, pasi vendi nuk shkoi në zgjedhje”, ka thënë Haliti.







