Një grabitje e armatosur ka ndodhur të enjten në Gjakovë, ku dy persona të dyshuar kanë hyrë në një vend pune dhe kanë marrë një sasi të madhe ari, pasi kanë thyer dollapët ku mbahej ari.
Rasti është raportuar më 5 nëntor, rreth orës 17:14. Sipas Policisë së Kosovës, dy personat e dyshuar kanë qenë të armatosur, njëri me armë të gjatë dhe tjetri me çekan.
Në raportin policor thuhet se ngjarja është raportuar nga dy viktima, një mashkull dhe një femër, të cilët kanë deklaruar se në momentin e grabitjes ndodheshin në vendin e tyre të punës.
“Dy viktimat një mashkull dhe një femër kosovare kanë raportuar se derisa kanë qenë në vendin e punës, kanë hyrë dy persona të dyshuar dhe të armatosur njëri me armë të gjatë e tjetri me një çekan dhe pasi kanë thyer dollapët kanë marrë një sasi të madhe ari”, thuhet në raportin e Policisë.
Pas kryerjes së grabitjes, të dyshuarit janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur.
Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar nga ekipet përkatëse policore.








