Procesi mësimor në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë është bojkotuar këtë të premte, pasi prindërit kanë vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë për shkak të kushteve të papërshtatshme higjienike.
Drejtoresha e shkollës, Mimoza Krasniqi, ka bërë të ditur se mësimdhënësit janë paraqitur në vendet e tyre të punës, por pavarësisht kësaj, procesi mësimor nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së nxënësve.
Në një deklaratë për Tëvë1, Krasniqi ka konfirmuar se shkolla është pastruar gjatë mbrëmjes së së enjtes nga kompania “Pastrimi”, ndërsa gjatë ditës së sotme, sipas marrëveshjes me Drejtorinë Komunale të Arsimit, pastrimi do të bëhet edhe nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB).
Ndërkohë, 13 punëtorët e kontraktuar nga kompania private nuk do të paraqiten në vendet e tyre të punës në këtë shkollë deri në momentin kur Komuna e Prishtinës t’i ekzekutojë mjetet financiare për ta.
Situata vjen në kohën kur greva e punëtorëve teknikë ka shkaktuar shqetësime për mirëmbajtjen dhe higjienën në shkollat e kryeqytetit, ndërsa prindërit kanë shprehur shqetësimin për kushtet në të cilat zhvillohet procesi mësimor.







