Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave në pikën kufitare në Vërmicë, ku gjatë kontrollit të një kamioni janë zbuluar mijëra produkte të padeklaruara, në vlerë të përgjithshme prej rreth 72 mijë e 600 eurosh, pa përfshirë detyrimet e importit.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi një zyrtar doganor ka dyshuar për mospërputhje ndërmjet peshës së deklaruar dhe asaj faktike të ngarkesës.
“Gjatë verifikimit është konstatuar mospërputhje në peshën e kamionit, i cili rezultonte më i rëndë sesa ishte deklaruar. Për këtë arsye, zyrtarët doganorë kanë vendosur që të realizojnë kontroll të detajuar të automjetit dhe ngarkesës”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Si rezultat i kontrollit, janë zbuluar 1 mijë e 36 palë këpucë dhe 2 mijë e 980 copë veshmbathje, të cilat nuk ishin përfshirë në deklaratën doganore.
Dogana ka bërë të ditur se pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura, ndërsa vlera e përgjithshme e tyre, pa përfshirë detyrimet e importit, arrin rreth 72 mijë e 600 euro.
Lidhur me rastin, janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa procedura administrative është në vazhdim. Për trajtimin e mëtejmë të rastit janë njoftuar edhe organet kompetente.
Në njoftim, Dogana ka rikujtuar se deklarimi i saktë i mallrave është obligim ligjor dhe se mosdeklarimi apo deklarimi i pasaktë mund të sjellë pasoja ligjore.
“Deklarimi i pasaktë ose mosdeklarimi i mallrave mund të përbëjë shkelje të legjislacionit doganor dhe të sjellë masa ligjore, përfshirë detyrimin për pagesën e detyrimeve të importit dhe masat e tjera të parapara me ligj”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet me qëllim të luftimit të kontrabandës, parandalimit të shmangies së detyrimeve doganore dhe mbrojtjes së konkurrencës së drejtë në treg.







