Pas grevës së punëtorëve teknikë, shkollat në Prishtinë pritet t’i kthehen funksionimit të rregullt gjatë javës së ardhshme, pasi Komuna e Prishtinës ka arritur marrëveshje me sindikatën e punëtorëve grevistë.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, e cila ka njoftuar se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme administrative për zgjidhjen e kësaj situate.
“Kryeqyteti ka arritur sot marrëveshje me Sindikatën e punëtorëve grevistë, ndërsa puna e tyre e rregullt pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit.
Sipas njoftimit, pagesat e para për punëtorët janë realizuar gjatë ditës së sotme, ndërsa pjesa e mbetur pritet të përfundojë deri të martën.
“Pagesat e para janë realizuar sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë deri të martën”, bëhet e ditur në njoftim.
Ndërkohë, deri në rikthimin e punëtorëve teknikë në vendet e tyre të punës, mirëmbajtja dhe pastrimi i shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”.
“Deri në rikthimin e punëtorëve teknikë, duke filluar nga sot, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja ‘Pastrimi’”, thuhet tutje në njoftim.
Drejtoria e Arsimit ka bërë të ditur se do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, me qëllim të sigurimit të kushteve të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Shqetësimet tuaja për higjienën në shkolla janë edhe shqetësimet tona. Shëndeti dhe siguria e fëmijëve mbeten prioriteti ynë”, thuhet në njoftim.
Komuna ka shprehur pritjen që procesi mësimor të vazhdojë normalisht, duke theksuar se çdo situatë që mund të cenojë kushtet higjieno-sanitare do të trajtohet me përgjegjësi dhe me masat e nevojshme.







