Në çdo aktivitet në mbështetje të katërshes së UÇK-së, është i pranishëm.
Edhe këtë të enjte, Ramë Buja iu bashkua aksionit simbolik të organizuar nga OVL-UÇK, në shenjë solidarizimi me ish – bashkëluftëtarët e tij.
Me ta, thotë se ka ndarë edhe vdekjen disa herë.
“Është diçka shumë e rëndë që që gjashtë vite unë nuk i kam parë. Më ka marrë shumë malli me i pa, me thënë të drejtën, por unë nuk kam shkuar për arsye që mbrojtësit kanë thënë nuk do të ishte mirë të shkosh, meqë je anëtar i shtabit të përgjithshëm. Por po ju them sinqerisht, është një mall i çuditshëm që me i pas njerëz të cilët kanë ndarë gjërat më të rënda, luftën, dhe ke realizuar lirinë me ata bashkë. Dhe kaq kohë të gjatë mos t’i shohësh është e rëndë”, tha Ramë Buja.
Gjashtë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së,veterani Blerim Berisha e kujton si një fatkeqësi për Kosovën.
“Këtë ditë 6 vjetorin e kujtojmë si një fatkeqësi që i ka ndodh vendit tonë që janë denu çlirimtarët tanë. Për rreth 21 ditë kemi qenë në protestë, e kemi ngrit zanin dhe s’do të ndalemi dhe shpresojmë që se shpejti që në apel të merret vendimi lirues për çlirimtarët tanë”, u shpreh ai.
Nga OVL-UÇK, thonë që procesi gjyqësor në Hagë përbën padrejtësi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj.
“Kemi me pa si një fillim të një padrejtësie të madhe që po i bëhet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftës sonë të drejtë dhe popullit tonë në përgjithësi. Sepse atje nuk shkuan katër individë, por atje është duke u akuzuar dhe de facto në shkallën e parë u dënua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, lufta jonë e drejtë dhe u tentua që të ndryshohet historia, po ashtu u tentua që të barazohet viktima dhe agresori. Në këtë rast viktimë kemi qenë ne, populli i Kosovës, ndërsa agresori ka qenë soldateska serbe e cila nuk ka lënë gjë të zezë pa i bërë këtij populli”, tha Fatmir Sopi nënkryetar i OVL-së.
Përveç mbështetjes për ish-krerët, shoqatat kërkuan edhe reagimin e institucioneve të Kosovës për rishqyrtimin e rezolutës së Këshillit të Evropës.
“Ne sot, përtej mbështetjes dhe solidaritetit me familjet e krerëve që gjinden atje dhe me vetë krerët, siç kemi vepruar tash e 6 vite, mendojmë se edhe institucionet tona është dashur që të reagojnë dhe t’i kërkojnë Bashkësisë Evropiane, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian që ta rishqyrtojë dhe ta analizojë atë rezolutë mbi të cilën është ndërtuar dhe është bërë një padrejtësi e vazhdueshme ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Xhavit Jashari, kryetar i shoqatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së.
Ndërkaq, Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, kërkoi reagim institucional edhe ndaj deklaratave të zëvendësprokurorit të Gjykatës Speciale.
“Para tri-katër ditësh një skandal, i cili nga zvprokurori i Gjykatës Speciale ne na çuan si njerëz kriminelë, dhe presidentin dhe të tjerët. Kjo për ne është e papranueshme dhe qytetarët e Kosovës dhe ne si shoqata të dala nga lufta na çuan si popull kriminal si serbët, që gjëja ne jemi sikur serbët, që ata e varrosen Mlladiqin në radhë në mënyrën më të mirë, si heronj që varrosin një kriminel lufte. Dhe neve, zv.prokurori i Gjykatës Speciale, vetë na çuan, na krahasojnë me qytetarët serbë dhe me kriminelë serbë. Pse asnjë zyrtar nga institucioni i vendit nuk ka dalë të reagojë ndaj një njeriu numër dy, i cili është në Gjykatën Speciale, zëvendësprokurori i shtetit, i cili është numër dy, dhe s’ka dalë dikush nga institucionet tona qoftë nga Ministria e Drejtësisë, t’i reagojë atij edhe t’i thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë ushtri kriminale”, tha ai.
Me 5 nëntor 2020 në Dhomat e Specializuara në Hagë u dërguan Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.






