Të enjten iu drejtuan varrezave në Zllatar të Prishtinës.
Me vete, morën edhe kurora lulesh.
E këto të fundit, i vendosën pranë varrit të Astrit Deharit. Astrit Dehari.
E gjitha kjo, në përvjetorin e 10-të, qëkur ish-aktivistit i Vetëvendosjes, ndërroi jetë në rrethana të dyshimta në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Bashkë me kryeministrin, Albin Kurti, ishte edhe babai i Astritit, Avni Dehari.
Ky i fundit tha se pritja prej një dekade për drejtësi, ka qenë e rëndë për familjen.
“Dhjetë vjet janë shumë për t’u zbardhur drejtësia. Dhjetë vjet janë torturë për ne si familje, për bashkëveprimtarët e Astritit, për qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë kufijve, të cilët presin se çfarë do të ndodhë me këtë rast që ende nuk po përmbyllet”, tha Avni Dehari.
Ndërkohë, kryeministri Kurti, tha se e vërteta për vdekjen e Deharit ende nuk është zbardhur.
Edhe në përvjetorin e 10-të, Kurti tha se Astrit Dehari është vrarë.
“10 vjet pa Astritin janë shumë, janë shumë për familjen, për Vetëvendosjen, për të gjithë ne që e njohëm, por janë edhe shumë për Kosovën dhe shqiptarët, sepse mungon e vërteta e mbytjes së tij dhe drejtësia. 10 vjet më vonë nuk e dimë emrin e vrasësit të Astritit”, tha Kurti.
E në orën 11:00, të shoqëruar nga avokati i familjes, prindërit e Astrit Deharit, mbajtën një konferencë për media para objektit të Prokurorisë Speciale.
Këtu, nëna e Astritit, Xhemile Dehari, u pyet se pse rasti “Dehari” nuk po zgjidhet as në kohën kur vendi udhëhiqet nga partia që i takonte biri i saj.
“Pse Vetëvendosje që gjashtë vjet nuk e zgjidh problemin? Pse nuk e shtroni pyetjen kush e vrau Astritin para gjashtë vjetëve? A i harruat ato katër vjet? Në cilën qeveri u vra Astriti dhe kush ka qenë përgjegjës në atë kohë?”, u shpreh ajo.
E avokati i familjes, Tomë Gashi, tha se familja pret që rasti të trajtohet mbi bazën e provave dhe të mos përmbyllet pa përgjegjësi konkrete.
“Besoj që epilogu i vetëm përfundimtar është që, në bazë të provave që janë, Astrit Dehari është vrarë para 10 viteve”, tha Gashi
Ndryshe, vdekja në moshën 26-vjeçare e Astrit Deharit, ka qenë një nga rastet më të përfolura në Kosovë, që nga 5 nëntor i vitit 2016.






