Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar nga një muaj paraburgim për tre të pandehurit me inicialet M.P., I.H. dhe F.Z., të dyshuar për përfshirje në katër vepra penale.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore.
Sipas njoftimit të Gjykatës, tre të pandehurit dyshohen për veprat penale: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, mashtrim, hyrje e paautorizuar kompjuterike dhe mashtrim kompjuterik.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku i ikjes së të pandehurve, ndikimit në dëshmitarë dhe prova, si dhe mundësia e përsëritjes së veprave penale apo kryerjes së veprave të tjera.
Sipas vlerësimit të gjykatës, masat më të buta nuk do të ishin të mjaftueshme për të parandaluar këto rreziqe dhe për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./teve1.info/







