Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ia rritur dënimin të akuzuarit B.G. nga 7 vjet e 6 muaj në 10 vjet burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, vendimi është marrë pas shqyrtimit të ankesës së Prokurorisë dhe analizimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, të datës 30 qershor 2025.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë i ka vërtetuar drejt faktet dhe rrethanat e rastit, por nuk i ka dhënë peshën e duhur caktimit të lartësisë së dënimit.
Sipas kolegjit gjykues, dënimi fillestar nuk ishte në përputhje me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe pasojat e shkaktuara
“Gjykata e Apelit, pas mbajtjes së seancës, më 26.10.2026 dhe pas analizimit dhe vlerësimit të aktgjykimit të ankimuar, si dhe sipas detyrës zyrtare, ka konstatuar se i njëjti nuk ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e as shkelje të tjera të cilat do ta kushtëzonin anulimin e tij. Po ashtu, ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë e ka vërtetuar gjendjen e fakteve dhe rrethanat e rastit, në bazë të të cilave është akuzuar dhe shpallur fajtor B.G. Në këtë çështje penale, kolegji gjykues ka konstatuar se, përkitazi me caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit nga gjykata e shkallës së parë, nuk i është dhënë pesha e duhur dhe se dënimi i shqiptuar nuk përkon me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe pasojën e shkaktuar nga vepra penale”, thuhet në komunikatë.
Të akuzuarit në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 17 maj 2025.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, me aktgjykimin e 30 qershorit 2025, e kishte shpallur B.G fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe e kishte dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim./teve1.info/







