Aleanca ka vlerësuar se raporti i Komision Evropian për Kosovën paraqet hapa prapa në të gjitha fushat.
Sipas kësaj partie raporti shënon pikën më të ulët në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Ky dokument zyrtar i Brukselit nuk lë hapësirë për manipulim apo propagandë, pasi secili vlerësim konstaton stagnimin dhe paralizën institucionale në të cilën është zhytur Kosova. Ky raport shënon pikën më të ulët në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian. Për herë të parë, dokumenti është i mbushur me konstatimet dramatike “asnjë progres” dhe “progres i limituar”. Krahasimi me vitet paraprake, kur Kosova shënonte hapa përpara dhe ndërtonte kapacitete, sot tregon një kthim prapa në të gjitha fushat jetike. Vendimi i pushtetit për ta çuar vendin në tri palë zgjedhje brenda një viti ka bllokuar legjislativin dhe ka lënë shtetin pa orientim, duke na shkëputur përfundimisht nga ritmi i vendeve të rajonit”, thuhet nga Aleanca.
Kjo parti ka theksuar se në fushën e drejtësisë në të cilën u premtuar reforma “Bashkimi Evropian gjeti zero përparim”.
Sipas Aleancës edhe në sektorin e ekonomisë raporti ka rrëzuar pretendimet e Qeverisë për rritje ekonomike.







