Për 27 vite, Lutfije Ademi-Vokshi jetoi mes ankthit dhe shpresës për vëllanë e saj.
Që nga përfundimi i luftës, ajo nuk kishte asnjë informacion për doktor, Adem Ademin.
E tek këtë të martë ajo mori lajmin se eshtrat e gjetur në fshatin Jabukë të Zubin Putokit i përkasin vëllait të saj.
“Momenti i rëndë është kur të merr lajmin, pa marrë parasysh, doket që qatë moment që e merr lajmin në atë moment ka vdekë. Mirëpo kur e kçyre që 27 vite duke e kërkuar, e duke jetuar në ankth dhe në shpresë që një ditë do të gjejmë ose të gjallë apo të vdekur”, shprehet ajo.
Zona e Kalludrës ishte vendi i fundit ku ishte parë Adem Ademi.
Prandaj me nisjen e gërmimeve në korrik të këtij viti, ajo ishte e bindur që trupi i tij do të gjendej në atë pjesë.
“Me rastin e gërmimeve në Kalludër dhe zbulimin e 23 eshtrave mortore të grupit të intelektualëve të Mitrovicës në krye me doktor Adem Ademin, unë kam qenë e bindur që aty e kam vëllaun dhe tash edhe zyrtarisht e kam marrë lajmin që ai është i identifikuar, lajmi është i rëndë. Për familjarë është rëndë kështu kur të merresh vesh, mirëpo kur të mendon në të tjetrën anë është e mirëseardhur. Se ma mirë të gjesh e ta kesh një varrë ku të dërgosh disa lule”, thotë Ademi-Vokshi.
Jetesa për 27 vite pa asnjë informacion për Adem Ademin nuk ishte aspak i lehtë për familjarët.
“27 vite të jetosh me ankthe dhe më shpresë, ankthi që nuk do të gjesh kurrë, ankth që e kanë vrarë dhe nuk do e gjejë, mirëpo shpresë, se një dozë e shpresës ekziston gjithmonë se ti kur nuk ke dëshirë diçka mendon që është diku gjallë”, shprehet motra e Adem Ademit.
Ajo rrëfen për Tëvë 1, momentin kur iu dha lajmi se eshtrat e gjetur i përkasin Adem Admit.
“Na ka ardhë ADN, Ademi është në mesin e katër të Jabukës me tha që fatbardhësisht është i kompletuar… i rëndë ishte për të gjithë, mirëpo Erblini e përgëzoj për burrërinë, mua me kontrollojnë pak emocionet por ai tamon burrë”, rrëfen ajo.
Adem Ademi ishte njëri nga 23 intelektualët shqiptarë që u zhdukën në prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në zonën e Zubin Potokut.







