Skuadra e Prishtinës ka mposhtur Dritën në ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë në Superligën e Kosovës futboll.
Të mërkurën në Gjilan, Prishtina triumfoi me shifrat 2:1 për t’ia shkaktuar Dritës humbjen e parë pas një serie prej katër fitoreve rresht.
Me këtë fitore, Prishtina ka marrë pozitën e parë në tabelë me 29 pikë, duke e lënë pas vetes Malishevën me 27 dhe Dritën me 23 që zë vendin e tretë.
Blend Baftiu dhe Ardian Hasani, realizuan golat e fitores për Prishtinën, ekip që para dhjetë ditësh u mposht 3;0 nga Drita në kuadër të xhiros së 11-të.
Baftiu në minutën e shtatë kaloi Prishtinën në epërsi kurse Hasani në minutën e 59-të shënoi golin e fitores, ndërsa për Dritën realizoi Blerim Krasniqi në minutën e 19-të.
Në xhiron e 13-të, që zhvillohet këtë vikend, Prishtina është mysafire e Vushtrrisë kurse Drita luan në Skenderaj kundër Drenicës.










