Policia e Kosovës ka bërë të ditur detajet e operacionit të zhvilluar në rajonin e Ferizajt dhe të Prishtinës, ku janë arrestuar pesë persona dhe janë sekuestruar 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë operacionit të realizuar më 3 nëntor, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe me mbështetjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), janë sekuestruar edhe para të gatshme, telefona celularë, një veturë dhe dëshmi të tjera materiale.
Në mesin e gjërave të sekuestruara janë:
5 mijë e 300 euro dhe 100 dollarë amerikanë;
Një veturë;
Dhjetë telefona celularë;
Një pajisje DVR për regjistrimin e kamerave të sigurisë;
15 fishekë të kalibrit 9×19 mm;
Një prerëse.
Gjatë konferencës për media, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka deklaruar se bëhet fjalë për njërin ndër operacionet më të mëdha të këtij lloji të ndërmarra në vend.
Ndërkaq, sipas prokurorit Dema, dyshimet fillestare janë se sasia e narkotikëve është transportuar nga vendet aziatike në Kosovë.
Pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, me urdhër të Prokurorisë Speciale, ndërsa dyshohen për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, do të vazhdojë veprimet hetimore dhe procedurale lidhur me këtë rast.







