Gjashtë raste të dhunës fizike dhe psikike janë raportuar në vende të ndryshme të Kosovës, ndërsa në disa prej tyre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, në Ranilluk, më 3 nëntor, rreth orës 15:15, është arrestuar një person i dyshuar për sulm fizik ndaj një burri. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa, i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin policor.
Ndërkaq, në Prishtinë, më 3 nëntor, rreth orës 14:35, është arrestuar një person nën dyshimin për ushtrim të dhunës psikike ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është raportuar në Ferizaj, më 27 tetor, ku një person është shoqëruar në stacion policor nën dyshimin për kryerjen e veprës së dhunës ndaj një gruaje.
“Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Edhe në Gjakovë janë raportuar dy raste. Në rastin e parë, më 3 nëntor, rreth orës 21:30, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një person. Ajo ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në rastin tjetër, të ndodhur po atë natë, rreth orës 23:10, një person dyshohet se ka tentuar të sulmojë dhe ka kanosur një burrë.
“Nuk raportohet për të lënduar, i dyshuari ndodhet në kërkim policor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Ndërsa në Skenderaj, më 2 nëntor, rreth orës 20:40, një person është shoqëruar në stacion policor nën dyshimin për sulm fizik ndaj një gruaje, e cila ka pranuar tretman mjekësor.
Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt./teve1.info/








