Opera e Kosovës do të shënojë pesëvjetorin e themelimit me një mbrëmje të veçantë artistike, të titulluar “Opera Gala”, e cila do të mbahet më 19 nëntor 2026, në Prishtinë.
Në këtë ngjarje festive do të interpretojë sopranoja shqiptare Elbenita Kajtazi, një nga artistet më të afirmuara shqiptare në skenën ndërkombëtare të operës.
Ajo do të shoqërohet nga Orkestra e Operës së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit italian Carlo Goldstein, i cili ka një karrierë ndërkombëtare në repertorin operistik dhe simfonik.
Gjatë karrierës së tij, Goldstein ka bashkëpunuar me institucione të njohura muzikore, përfshirë Teatro La Fenice në Venedik, Sydney Opera House dhe Vienna Volksoper, ku ka shërbyer si dirigjent kryesor i ftuar.
Përmes kësaj mbrëmjeje, Opera e Kosovës synon të shënojë rrugëtimin pesëvjeçar të institucionit në zhvillimin dhe afirmimin e artit operistik në vend.
“Pesë vite janë vetëm fillimi i një rrugëtimi që synon të ketë të ardhme të qëndrueshme dhe horizonte gjithnjë e më të gjera artistike”, thuhet në njoftimin e Operës së Kosovës.
“Opera Gala” do të mbahet më 19 nëntor, duke filluar nga ora 19:30, në Klan Arena në Prishtinë./teve1.info/











