Mëngjesin e së martës, u vunë në aksion.
Por, policët vendor, nuk ishin të vetëm në këtë aksion ndërkombëtar. Në Kosovë, të martën zbarkuan edhe hetues gjerman dhe hetues të tjerë nga EUROPOL.
Si pasojë e kësaj, nën pranga ranë tre persona të cilët u ndaluan për 48 orë.
“Sipas dyshimeve të deritanishme, personat e përfshirë, duke u paraqitur si agjentë apo ndërmjetës financiarë, dyshohet se kanë mashtruar qytetarë, kryesisht gjermanishtfolës, duke i nxitur të transferonin mjete financiare për investime të pretenduara në instrumente financiare dhe kriptovaluta. Fitimet e paraqitura në platformat përkatëse dyshohet se ishin fiktive, ndërsa mjetet e transferuara nuk investoheshin sipas premtimeve të dhëna”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Në këtë aksion, u sekuestruan përkohesisht disa vetura, telefonë dhe kompjuterë që mund të sherbëjnë si prova.
E detaje për aksionin e së martës, dhanë edhe nga Europol.
Këta të fundit njoftuan se rrjeti i dyshuar kriminal, vepronte edhe në shtetet e tjera.
Ndërsa i pasojë e gjithë kësaj, vlera e dëmit vlerësohet të jetë mbi 4 milionë euro.
“Autoritetet kontrolluan 17 vendndodhje dhe sekuestruan serverë, prova të tjera dhe asete. Shtatë të dyshuar u arrestuan me qëllim ekstradimin e tyre drejt Gjermanisë. Ky aksion vjen pas katër vitesh hetimesh dhe ndërhyrjesh të mëparshme në vitet 2022 dhe 2025. Provat e mbledhura gjatë atyre operacioneve çuan te kompania që dyshohet se operonte sipas modelit “krimi si shërbim” (crime-as-a-service) nga Qiproja dhe Izraeli. Hetuesit identifikuan gjithashtu klientë të dyshuar që menaxhonin qendra thirrjesh mashtruese në Shqipëri, Kosovë* dhe Maqedoninë e Veriut”, ka njoftuar tutje Policia.
Por, si funksiononte e gjithë skema e dyshuar kriminale përmes “Call Center”?
“Viktimat fillimisht u inkurajuan të transferonin një shumë të vogël. Llogaritë e tyre online më pas shfaqën fitime fiktive, duke e bërë platformën të dukej e besueshme dhe investimin të suksesshëm. Ndërmjetësit e supozuar përdorën këto fitime të dukshme për të shtyrë viktimat të transferonin shuma gjithnjë e më të mëdha. Kur viktimave iu kërkua të tërhiqnin paratë e tyre, operatorët përdorën taktika vonese për të bllokuar pagesat. Përfundimisht, kontakti pushoi, duke i lënë viktimat të paaftë të rikuperonin fondet e tyre”, thuhet tutje ne njoftim.
Ndryshe, e gjithë zanafilla e këtij hetimi nisi nga ankesa e një çifti gjerman, që kishin raportuar se nuk mund t’i tërhiqnin paratë e investuara përmes një platforme online.
Ndërsa arrestime të ngjashme nën dyshimin për mashtrim përmes Call Center në Kosovë kishte pasur edhe para disa ditësh.



